Reforma administrativo-territoriale e vitit 2014 solli një riorganizim të thellë të pushtetit vendor, por më shumë se një dekadë më pas evidentohen një sërë problemesh financiare dhe strukturore që pritet të merren në konsideratë në reformën e re.

Sipas raportit të financave vendore për vitin 2025, një nga problemet kryesore mbetet varësia e bashkive të vogla dhe të mesme nga qeveria qendrore. Për disa prej tyre, më shumë se 50% e buxhetit financohet nga transfertat qeveritare, për shkak të kapaciteteve të ulëta për të gjeneruar të ardhura.

Reforma ka prodhuar gjithashtu pabarazi të ndjeshme financiare mes bashkive. Të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore janë përqendruar kryesisht në bashkitë e mëdha, veçanërisht në Tiranë, ndërsa bashkitë rurale përballen me më pak investime, emigracion dhe burime të kufizuara financiare.

Një tjetër problem është rritja e kostove administrative. Në një pjesë të bashkive, shpenzimet e administratës janë rritur më shpejt se të ardhurat, ndërsa vijojnë të shtohen edhe detyrimet e prapambetura.

Raporti paralajmëron se kjo situatë mund të cenojë qëndrueshmërinë financiare të bashkive, të kufizojë fondet për investime dhe të ulë cilësinë e shërbimeve publike.

Problemet janë më të dukshme në zonat rurale dhe të largëta, ku investimet mbeten të kufizuara dhe shërbimet publike janë më të dobëta krahasuar me qendrat urbane, duke thelluar pabarazitë territoriale dhe sociale.

Bashkitë e vogla përballen gjithashtu me mungesë kapacitetesh njerëzore dhe profesionale për menaxhimin e pasurive dhe burimeve natyrore, financave dhe territorit, si dhe për mbledhjen e të ardhurave.

Këto dobësi pritet të jenë ndër çështjet kryesore që do të analizohen në hartimin e reformës së re administrativo-territoriale.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu