
Policia e Durrësit ka goditur një skemë të dyshuar trafiku ndërkombëtar droge nga Kanadaja drejt Shqipërisë dhe më pas Kosovës, duke sekuestruar rreth 80 kilogramë kanabis me përmbajtje të lartë THC.
Operacioni i koduar “Anchor” u zhvillua në Portin e Durrësit, ku u gjetën 127 pako me kanabis të njohur në treg si “Gelato”. Vlera e lëndës narkotike përllogaritet në rreth 1 milion euro.
Në pranga kanë rënë tre shtetas nga Kosova, Taulant Duraku, 32 vjeç, Luan Gashi, 26 vjeç dhe Besfort Jaka, 40 vjeç, të dyshuar për trafikim narkotikësh.
Dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim: H. C., lindur dhe banues në Kukës, si dhe G. O., lindur në Kosovë dhe banues në Ontario të Kanadasë.
View this post on Instagram
Sipas hetimeve, droga sigurohej në Ontario dhe transportohej drejt Shqipërisë e fshehur në një hapësirë të posaçme të modifikuar brenda një automjeti të porositur për blerje në Kanada.
Pas mbërritjes në Shqipëri, lënda narkotike dyshohet se shpërndahej në tregun shqiptar dhe në Kosovë.
Gjatë operacionit janë sekuestruar gjithashtu tre automjete, pesë telefona celularë dhe rreth 11 mijë euro cash.
Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë, si dhe dokumentimin e plotë të roleve të secilit në sigurimin, transportimin dhe shpërndarjen e drogës.






