
Turqia ka ndërmarrë një tjetër hap të fortë ligjor kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, në kuadër të hetimeve që lidhen me ndërhyrjen izraelite ndaj flotiljes humanitare për Gazën.
Ministri turk i Drejtësisë, Akin Gürlek, bëri të ditur se është kërkuar lëshimi i një urdhër-arresti ndaj Netanyahu, të cilin Ankaraja e akuzon për “gjenocid” në lidhje me luftën në Gaza dhe veprimet ndaj flotiljes.
Gürlek deklaroi se qeveria e Netanyahu “nuk është e paprekshme dhe as e pandëshkueshme”, duke theksuar se Turqia do të përdorë të gjitha mundësitë që ofron e drejta kombëtare dhe ndërkombëtare për të kërkuar përgjegjësi.
“Ne nuk do të lejojmë që krimet e kryera në Gaza të mbulohen dhe as që përgjegjësit të mbrohen nga një mburojë pandëshkueshmërie”, ishte qëndrimi i ministrit turk.
Lëvizja vjen në një moment tensionesh të forta mes Turqisë dhe Izraelit, ndërsa përplasjet mes Ankarasë dhe qeverisë së Netanyahu janë shtuar edhe për shkak të zhvillimeve në Siri dhe situatës në Gaza.






