Lionel Messi është rikthyer te goli me Inter Miami, në një mbrëmje të ngarkuar me emocione për yllin argjentinas.

39-vjeçari realizoi në minutën e 26-të të sfidës ndaj Philadelphia Union, duke i dhënë Inter Miamit avantazhin e përkohshëm 2-1. Messi shmangu mbrojtësin Kai Wagner dhe mposhti portierin Andre Blake me një goditje të saktë me të majtën.

Por këtë herë vëmendjen e mori edhe mënyra e festimit. Pasi u përqafua nga shokët e skuadrës, Messi ngriti dorën drejt qiellit, duke ia dedikuar golin babait të tij, Jorge Messi, i cili u nda nga jeta më 8 gusht në Rosario, në moshën 68-vjeçare.

Ishte goli i parë i Messit që prej humbjes së babait, i cili për dekada ishte një nga njerëzit më të rëndësishëm në jetën dhe karrierën e tij, duke shërbyer edhe si përfaqësues i futbollistit.

Messi ishte protagonist edhe në golin tjetër të Inter Miamit, duke dhënë asist, por skuadra e tij nuk arriti të merrte tri pikët. Philadelphia Union barazoi dhe ndeshja përfundoi 2-2.

Për argjentinasin ishte goli i 13-të në këtë sezon të MLS-së, ndërsa Inter Miami i dha fund serisë prej tri humbjesh radhazi, por mbetet pa fitore në katër ndeshjet e fundit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu