Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar sërish rreth kontrollit të Ngushticës së Hormuzit, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe aktivizuan mbrojtjen ajrore pas një alarmi raketor dhe raportimeve për shpërthime në Dubai.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se bllokada detare ndaj Iranit mbetet në fuqi, por pretendoi se Ngushtica e Hormuzit është tashmë “e hapur dhe operative” dhe se minat detare janë hequr ose asgjësuar. Trump publikoi gjithashtu në rrjetet sociale një hartë të Hormuzit me mbishkrimin “territor i ri amerikan”.

Teherani reagoi menjëherë. Zëvendësministri i Jashtëm iranian Kazem Gharibabadi e cilësoi deklaratën e Trump një “iluzion”, duke paralajmëruar se ai do të “korrigjohet”. Presidenti i Parlamentit dhe kryenegociatori iranian Mohammad Ghalibaf këmbënguli se Hormuzi do të mbetet i mbyllur derisa SHBA të përmbushë kushtet e memorandumit të arritur më herët me Teheranin.

Situata u tensionua më tej pasditen e së martës, kur në Dubai u dëgjuan shpërthime dhe autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe njoftuan aktivizimin e mbrojtjes ajrore përballë një kërcënimi raketor. Popullsisë iu kërkua të qëndronte në vende të sigurta dhe të ndiqte vetëm njoftimet zyrtare.

Më herët, një anije që po dilte nga Ngushtica e Hormuzit ishte goditur nga një predhë e paidentifikuar. Sipas agjencisë britanike UKMTO, një pjesëtar i ekuipazhit mbeti i plagosur dhe mori ndihmë nga Roja Bregdetare e Omanit.

Në një tjetër zhvillim që rrit tensionet rajonale, sipas një dokumenti të një qeverie evropiane të cituar nga NBC News, Rusia po furnizon Iranin përmes Detit Kaspik me komponentë për dronë, municione dhe eksplozivë. Kjo rrugë do t’i mundësonte Teheranit të rindërtonte një pjesë të rezervave të dëmtuara nga sulmet amerikane dhe izraelite, duke shmangur rrugët detare të kontrolluara nga SHBA-ja dhe aleatët.

Ndërkohë, rebelët Houthi në Jemen kanë marrë përgjegjësinë për një sulm me dronë ndaj rafinerisë së Saudi Aramco në Jazan, në Arabinë Saudite. Përshkallëzimi në Detin e Kuq dhe kriza në Hormuz po shtojnë shqetësimet për sigurinë e dy prej korridoreve më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu