
Pas më shumë se 17 vitesh pa ndërhyrje, ka nisur dragimi i Kanalit të Vivarit në Butrint. Në fazën e parë do të largohen rreth 50 mijë metër kub sedimente, ndërsa projekti synon të përmirësojë kushtet e Lagunës së Butrintit dhe t’i japë një shtysë të re kultivimit dhe eksportit të midhjes.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, inspektoi punimet së bashku me kryetarin e Bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi, kryetarin e Bashkisë Konispol, Ergest Dule, si dhe deputetët e zonës Ardit Bido dhe Vasil Llajo.
Ndërhyrja synon rikthimin e funksionalitetit hidrologjik të Kanalit të Vivarit, i cili lidh Lagunën e Butrintit me Detin Jon. Largimi i sedimenteve pritet të përmirësojë shkëmbimin natyror të ujërave, oksigjenimin dhe nivelin e kripësisë, elementë të rëndësishëm për ekosistemin dhe veçanërisht për kultivimin e midhjes.
Rëndësia e kanalit për ekosistemin e Butrintit është evidentuar edhe në Planin e Menaxhimit të Integruar të Parkut Kombëtar të Butrintit. Dokumenti nënvizon se ujërat e kripura hyjnë në lagunë përmes Kanalit të Vivarit dhe se mirëmbajtja e rrjedhës së tij është e rëndësishme për cilësinë e ujit dhe kushtet për kultivimin e midhjeve. (meki.gov.al)
Salla bëri të ditur se pas ndërhyrjes synohet edhe hapja e kuotave për kultivimin e midhjes.
“Për herë të parë pas shumë vitesh do të hapim edhe kuotat e midhjes, një proces shumë i rëndësishëm për ekonominë vendase, por edhe për konsumatorin shqiptar”, deklaroi ministri.
Punimet kryhen me një dragë të posaçme për largimin e sedimenteve të grumbulluara ndër vite. Sipas autoriteteve vendore, ndërhyrja pritet t’u krijojë kultivuesve mundësi për rritjen e prodhimit, përballimin e kërkesës nga konsumatorët dhe turistët dhe, në perspektivë, zgjerimin drejt eksportit.






