
Policia korrigjon të dhënat për vrasjen në Ksamil: viktima është L.V., i lindur në vitin 2005
Policia ka korrigjuar informacionin për identitetin e të riut të vrarë mëngjesin e së martës në Ksamil. Viktima nuk është shtetas francez, siç u raportua fillimisht, por portugez.
Sipas Policisë, në momentet e para pas ngjarjes viktima ishte identifikuar si shtetas francez me inicialet M.M. Pas vijimit të hetimeve dhe gjetjes së dokumentit të identifikimit, është konfirmuar se viktima është shtetasi portugez L.V., i datëlindjes 27 shtator 2005.
Ndërkohë, hetuesit po verifikojnë edhe rolin e dy shtetasve turq, në automjetin e të cilëve u kap i dyshuari për vrasjen, Sokrat Vata.
Sipas njoftimit të Policisë, dy shtetasit turq po e transportonin 29-vjeçarin në drejtim të Tiranës, kur ai u kap në aksin Levan-Fier. Vata ishte fshehur në bagazhin e automjetit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Policia ka paralajmëruar një njoftim të plotë pas përfundimit të veprimeve të para hetimore.






