
Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në bulevardin e Ri të Vlorës, ku një automjet është përplasur me një monopatinë elektrike.
Ngjarja ka ndodhur pranë gjimnazit “Halim Xhelo”. Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i monopatinës elektrike ka mbetur i plagosur rëndë.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë bllokuar përkohësisht qarkullimin dhe kanë nisur veprimet për zbardhjen e dinamikës së përplasjes.
Bulevardi ku ndodhi aksidenti, i cili më parë funksiononte vetëm me një kalim, së fundmi është përshtatur me dy korsi për të lehtësuar qarkullimin në këtë pjesë të qytetit.
Policia pritet të japë informacion të mëtejshëm për rrethanat e aksidentit dhe gjendjen shëndetësore të të plagosurit.






