Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Lubço Georgievski, ka folur për një nga episodet më të debatueshme të konfliktit të vitit 2001, duke konfirmuar se në atë periudhë është diskutuar seriozisht ideja e ndarjes territoriale të vendit mes maqedonasve dhe shqiptarëve.

Në një intervistë për TV24, Georgievski ka treguar se propozimi iu paraqit fillimisht nga drejtues dhe anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë. Sipas tij, mes akademikëve që diskutuan idenë ishin Gjorgji Stradellov, Bllazhe Ristevski dhe Gjorgji Efremov.

Por çështja, sipas ish-kryeministrit, nuk mbeti vetëm në qarqet akademike. Ajo u diskutua më pas edhe në nivelin më të lartë të shtetit.

“Jemi ulur më pas ne si kreu shtetëror, unë, Stojan Andov dhe presidenti Boris Trajkovski, që njëlloj erdhëm deri te një ide e tillë: nëse nuk duan të jetojnë me ne, atëherë të ndahemi”, ka deklaruar Georgievski.

Ai shpjegon se logjika e propozimit ishte shmangia e vazhdimit të konfliktit të armatosur.

“Pse të luftojmë, të vritemi? Nëse nuk duam të jetojmë bashkë, të ndahemi”, ka treguar ish-kryeministri.

Sipas Georgievskit, presidenti i atëhershëm Boris Trajkovski informoi për idenë edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, ndërsa vetë ai ia paraqiti propozimin Arbën Xhaferit, në atë kohë kryetar i PDSH-së dhe pjesë e koalicionit qeverisës.

Xhaferi, sipas rrëfimit të Georgievskit, kërkoi rreth një javë deri në dhjetë ditë kohë për t’u konsultuar.

“Më pas më tha se nuk e përkrahin si propozim, nuk duan”, deklaroi Georgievski.

Ish-kryeministri thotë se Xhaferi nuk i kishte sqaruar se kush konkretisht e kishte kundërshtuar planin: faktori ndërkombëtar apo përfaqësuesit shqiptarë, duke lënë të kuptohet se konsultimet mund të kishin përfshirë edhe UÇK-në.

Georgievski shton se, pavarësisht kundërshtimit të idesë së ndarjes, ai në atë kohë kishte krijuar bindjen nga komunikatat e UÇK-së se konflikti kishte edhe një dimension territorial.

Deklaratat rikthejnë në vëmendje debatin mbi të ashtuquajturin “plan për ndarjen e Maqedonisë”, për të cilin është folur prej vitesh dhe që është përmendur disa herë edhe nga kreu i BDI-së dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Ali Ahmeti.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu