Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Maliq, ku një efektiv i forcave “Shqiponja” humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur gjatë një operacioni për kapjen e një personi të shumëkërkuar.

Përmes një mesazhi publik, Rama bëri të ditur se efektivi i rënë në krye të detyrës është shpallur “Dëshmor i Atdheut”, ndërsa shprehu ngushëllimet për familjen e tij dhe solidaritetin me efektivin e plagosur.

Sipas kryeministrit, ngjarja ndodhi gjatë një operacioni të vështirë për arrestimin e një personi që prej vitesh i fshihej drejtësisë në zonat malore të Korçës dhe që në disa raste kishte mundur t’u shpëtonte forcave të rendit.

“Gjatë një operacioni kurajoz për kapjen e një të shumëkërkuari, që prej vitesh i fshihej ligjit në malet e Korçës dhe në mënyrë të përsëritur kishte arritur t’u ikte rrethimeve të forcave të rendit, ka humbur jetën një efektiv policie e është plagosur një i dytë, ndërkohë që pasi ka hapur zjarr ndaj tyre u plagos dhe u kap edhe krimineli”, shkroi Rama.

Kreu i qeverisë kërkoi ndëshkimin maksimal për autorin e ngjarjes dhe vlerësoi punën e Policisë së Shtetit në përballjen me elementët kriminalë.

“Nderim përjetë Dëshmorit të Atdheut, ngushëllime familjes dhe shërim të shpejtë efektivit tjetër. Ndëshkim maksimal për të shumëkërkuarin dhe respekt maksimal për Policinë e Shtetit, që nuk do të ndalet asnjëherë në misionin e saj”, u shpreh Rama.

Ngjarja ndodhi në zonën e Lozhanit në Maliq, ku gjatë shkëmbimit të zjarrit mes policisë dhe personit në kërkim mbeti i vrarë efektivi Enea Mekolli, ndërsa një tjetër punonjës policie u plagos.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu