Përplasja mes Uashingtonit dhe qeverisë izraelite për të ardhmen e Gazës po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Kryeministri Benjamin Netanyahu ka këmbëngulur se Hamasi duhet të çarmatoset plotësisht përpara se ushtria izraelite të tërhiqet nga Rripi, pavarësisht presionit amerikan për të çuar përpara planin e paqes.

I dërguari i presidentit Donald Trump, Jared Kushner, zhvilloi një takim maratonë prej më shumë se katër orësh me Netanyahu-n në Jerusalem. Sipas raportimeve të cituara nga Corriere della Sera, Kushner i kërkoi kryeministrit izraelit të mos krijojë pengesa dhe të avancojë me planin e mbështetur nga Shtëpia e Bardhë.

Netanyahu, megjithatë, ka vendosur si kusht që Hamasi të hedhë hapin e parë: dorëzimin e armëve dhe çmilitarizimin e Gazës. Hamasi, nga ana tjetër, ka shprehur gatishmëri për çarmatim vetëm nëse procesi zhvillohet paralelisht me tërheqjen graduale të forcave izraelite.

Pas takimit, zyra e Netanyahu-t njoftoi ngritjen e dy grupeve të punës. I pari do të merret me çarmatimin e Hamasit dhe çmilitarizimin e Gazës, ndërsa i dyti me ujin e pijshëm, kanalizimet dhe çështjet e shëndetit publik.

Sipas mediave izraelite, palët bien dakord se rindërtimi i Gazës nuk duhet të nisë përpara çmilitarizimit. Netanyahu ka kërkuar gjithashtu që procesi i dorëzimit të armëve të Hamasit të mbikëqyret nga një gjeneral amerikan.

Ndërkohë, një burim i cituar nga Haaretz pretendon se Netanyahu ka marrë miratimin amerikan për vazhdimin e sulmeve të kufizuara dhe të shënjestruara në Gaza.

Trump kishte deklaruar më herët se Izraeli “nuk duhet të godasë Gazën”, duke pretenduar se Hamasi ka pranuar të dorëzojë armët. Kjo vjen pasi Kushner zhvilloi një ditë më parë bisedime në Egjipt me drejtues të Hamasit, përfshirë Khalil al-Hayya.

Situata komplikohet edhe nga politika e brendshme izraelite. Sipas CNN, Netanyahu ka argumentuar se avancimi i planit përpara zgjedhjeve të parashikuara në fund të tetorit mund të jetë politikisht problematik.

Në krahun më të djathtë të qeverisë, ministri Bezalel Smotrich kërkon një linjë edhe më të ashpër. Ai mbështet çarmatimin e Hamasit, por kërkon gjithashtu pushtimin dhe kontrollin e plotë izraelit të Gazës.

Pavarësisht mosmarrëveshjeve, bisedimet e së hënës tregojnë se Uashingtoni po shton presionin për të kaluar në fazën tjetër të planit: çarmatimin e Hamasit, tërheqjen e forcave izraelite dhe, më pas, rindërtimin e Gazës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu