Momente dramatike në aeroportin e Mynihut, ku një Boeing 787 i Vietnam Airlines ka rrezikuar një katastrofë gjatë ngritjes për në Hanoi. Avioni vijoi përtej fundit të pistës, u ngrit pasi kishte kaluar në zonën me bar dhe pësoi dëmtime në pjesën e poshtme të trupit dhe në trenin e uljes.

Sipas raportimeve të mediave italiane, dinamika e incidentit po analizohet nga autoritetet gjermane, ndërsa kutitë e zeza pritet të sqarojnë se çfarë ndodhi në kabinë gjatë sekondave më kritike.

Pamjet tregojnë se avioni bëri një xhiro shumë të gjatë në pistë dhe, pak para fundit të saj, duket se nisi një frenim të pazakontë. Sipas pilotëve të cituar në analizat e para, ajo ishte pikërisht faza kur avioni duhej të vazhdonte ngritjen dhe jo të tentonte ndalimin.

Boeing-u doli rreth 100 metra përtej asfaltit dhe u ngrit nga zona me bar, duke ngritur re të mëdha pluhuri. Gjatë manovrës, pjesa e pasme e avionit preku tokën dhe u dëmtua.

Pasi u ngrit, ekuipazhi raportoi probleme me presionin e gomave dhe kërkoi të rikthehej në Mynih. Përpara uljes, avioni qëndroi në ajër për të konsumuar dhe shkarkuar një pjesë të karburantit.

Rreth dy orë pas nisjes, Boeing-u u ul sërish në Mynih. Gjatë uljes, disa goma majtas u dëmtuan rëndë dhe pjesë gome u shkëputën.

Avioni nuk arriti të largohej vetë nga pista pas uljes dhe një pjesë e aeroportit u mbyll përkohësisht.

Një nga hipotezat që po shqyrtohet është një gabim në futjen e të dhënave të peshës së avionit në sistemin e bordit, çka mund të ketë ndikuar në llogaritjen e shpejtësisë së nevojshme për ngritje. Megjithatë, ekspertët theksojnë se mbetet për t’u sqaruar nëse frenimi i regjistruar në fund të pistës ishte vendim i pilotëve apo pasojë e një problemi teknik.

Vietnam Airlines deklaroi se ekuipazhi ndoqi procedurat dhe se të gjithë pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit janë të sigurt.

Hetimi teknik pritet të përcaktojë shkaqet e sakta të incidentit dhe nëse bëhet fjalë për gabim njerëzor, problem teknik apo kombinim faktorësh.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu