Kosova vijon të mbetet në ngërç institucional, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë opozitare nuk po arrijnë një marrëveshje për hapin që duhet të ndërmerret për zhbllokimin e situatës.

Kuvendi mbetet ende i pakonstituuar pas ndërprerjes së seancës së 6 gushtit, ndërsa nuk ka një datë të re për vazhdimin e saj. Deputetët e PDK-së dhe Aleancës u paraqitën të premten në sallën plenare dhe kërkuan rifillimin e seancës, pavarësisht se kryesuesi Avni Dehari nuk iu përgjigj kërkesës së tyre.

Në të njëjtën kohë, kryeministri në detyrë dhe kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka hapur diskutimin për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës. Ai kërkon që partitë shqiptare të gjejnë së bashku një figurë konsensuale, me mbështetje sa më të gjerë politike dhe qytetare.

Por PDK dhe Aleanca kundërshtojnë që çështja e Presidentit të diskutohet përpara zgjidhjes së krizës në Kuvend. Sipas tyre, fillimisht procesi i formimit të institucioneve duhet të rikthehet në binarët kushtetues.

Edhe LDK kërkon që më parë të konstituohet Kuvendi dhe të formohet Qeveria. Deputetja Jehona Lushaku-Sadriu deklaroi se vetëm pas këtyre hapave mund të zhvillohet procesi për gjetjen e një kandidati konsensual për President.

LDK ka bërë të qartë gjithashtu se synon të qëndrojë në opozitë, megjithëse është shprehur e gatshme të diskutojë për një emër konsensual për kreun e shtetit.

Me seancën konstituive të mbetur pezull dhe pa një datë për vazhdimin e saj, Kosova mbetet pa një afat të qartë për daljen nga kriza institucionale.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu