
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 29 vatra zjarri, prej të cilave 11 vijojnë të jenë aktive. Operacionet më të mëdha janë përqendruar në Lurë, Mirditë, Përmet dhe Dajt, ndërsa qindra forca dhe mjete po luftojnë me flakët nga toka dhe ajri.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në operacione janë angazhuar 249 efektivë zjarrfikës, 48 forca policore, 233 punonjës të bashkive, zonave të mbrojtura, shërbimit pyjor dhe strukturave të tjera, 206 vullnetarë dhe 118 efektivë të Forcave të Armatosura.
Në dispozicion janë 43 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë angazhuar edhe 9 mjete zjarrfikëse, 4 autobote, 3 ambulanca, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Një nga operacionet më të mëdha vijon në Gurë-Lurë të Dibrës. Në terren janë 120 forca bashkiake, 57 efektivë të FA-së, 15 policë, 15 vullnetarë dhe 9 punonjës të AdZM-së.
Ndërhyrja ka bërë të mundur vendosjen nën kontroll të perimetrit të zjarrit pranë banesave, duke shmangur djegien e tyre. Dy avionë Air Tractor kanë ndërhyrë nga ajri, ndërsa flakët vijojnë me intensitet në dy drejtime të tjera.
Në Dajt vazhdon puna mbi tunelet e Qafë-Mollës, por sipas autoriteteve nuk ka rrezik për zonat e banuara. Edhe në Priskë të Madhe banesat nuk raportohen të rrezikuara.
Në Përmet mbeten aktive vatrat në malin e Nëmerçkës dhe malin Dhëmbel. Terreni i vështirë po pengon operacionet, por aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Qafën e Helmes, në zonën Bulqizë-Dibër, zjarri vazhdon në terren pyjor.
Një tjetër operacion i madh po zhvillohet në Trojë të Mirditës, ku janë angazhuar zjarrfikës, forca bashkiake, policë, 20 vullnetarë dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura.
Vatra aktive raportohen gjithashtu në Rrencë dhe Goraj-Budishtë të Shkodrës. Në Goraj-Budishtë zjarri po shkon drejt izolimit dhe nuk paraqet rrezik për banesat.
Në qarkun e Elbasanit vijojnë vatrat në Dardhë të Librazhdit dhe në Shalës të Cërrikut. Edhe në Dardhë nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Operacionet vijojnë nga toka dhe ajri, ndërsa Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po koordinon ndërhyrjet në zonat ku zjarret mbeten aktive.






