
Eklipsi total i Diellit i 12 gushtit po dhuron një nga spektaklet më të rralla astronomike të dekadave të fundit. Fenomeni është total në një brez që kalon nga Arktiku, Groenlanda dhe Islanda, përmes Atlantikut e deri në Spanjë, ndërsa në pjesën tjetër të Europës shihet pjesërisht.
Spanja është një nga vendet më të privilegjuara. Është hera e parë në më shumë se një shekull që një eklips total është i dukshëm nga territori spanjoll. Brezi i plotë rreth 300 kilometra i gjerë, përshkon vendin deri në Ishujt Balearë.
Në vijën qendrore, Dielli zhduket plotësisht për afro dy minuta, duke e kthyer përkohësisht ditën në muzg dhe duke bërë të dukshme kurorën diellore.
Spektakli nuk përfundon me eklipsin.
Gjatë natës së 12-13 gushtit pritet edhe kulmi i shiut meteorik të Perseideve. Mungesa e dritës së Hënës krijon kushte veçanërisht të favorshme dhe në zona të errëta mund të dallohen deri në 80-100 meteorë në orë.
Ekspertët paralajmërojnë se Dielli nuk duhet parë drejtpërdrejt me sy të lirë apo me syze të zakonshme dielli. Për vëzhgimin e sigurt kërkohen syze të certifikuara për eklipse, standardi ISO 12312-2. Edhe kamerat, teleskopët dhe dylbitë kërkojnë filtra të posaçëm diellorë.
Eklipsi i radhës total do të ndodhë më 2 gusht 2027 dhe do të përshkojë Mesdheun dhe Afrikën e Veriut, i plotë prej 6 minutash e 23 sekondash.






