
Një objekt me pesë kate, i ndërtuar pa leje në Qeparo, ka çuar në pezullimin nga detyra të katër punonjësve të Policisë së Shtetit, mes tyre edhe ish-shefi i Komisariatit të Policisë së Himarës.
Vendimi është marrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, pasi nga verifikimet paraprake rezultoi se ndërtimi kishte nisur që në dhjetor të vitit 2025, ndërsa strukturat policore nuk kishin ndërhyrë për ta parandaluar.
Objekti është konstatuar në vendin e quajtur “Sugë”, në Qeparo të Himarës. Sipas Policisë, shtetasi me inicialet L. B., banues në Laç, kishte ndërtuar pa lejen e organeve kompetente një godinë me një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë.
Për rastin janë pezulluar nga detyra nënkomisar Ferit Merkaj, ish-shef i Komisariatit të Policisë Himarë dhe aktualisht shef i Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Vlorë; komisar Emiljano Prenga, ish-shef seksioni dhe specialist për Hetimin e Krimeve në Himarë; nënkomisar Klodjan Petani, ish-specialist për Hetimin e Krimit në Zonën Policore nr. 1, si dhe inspektor Redin Çaushaj, ndihmës/specialist SPZ në zonën ku u konstatua ndërtimi.
Ndaj katër punonjësve ka nisur edhe hetimi disiplinor.
Sipas të dhënave të bëra publike, objekti nuk është ngritur brenda një kohe të shkurtër. Verifikimet paraprake tregojnë se punimet kishin nisur në dhjetor 2025, por gjatë kësaj periudhe Komisariati i Policisë së Himarës nuk kishte marrë masa për parandalimin e ndërtimit dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personit që po e ndërtonte.
Pronari 39-vjeçar i objektit është arrestuar nga Policia e Himarës. Ndërkohë, tre punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Himarë, kryeinspektori dhe dy inspektorë, janë shpallur në kërkim për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Rasti merr përmasa më të mëdha pasi vjen në një moment kur edhe Bashkia e Himarës ka vendosur të shkrijë strukturën vendore të IMT-së. Kryetari i Bashkisë, Vangjel Tavo, ka deklaruar se vendimi lidhet me problematikat në funksionimin e strukturës, moskryerjen e detyrave dhe raste të dyshuara abuzimi.
Hetimet pritet të përcaktojnë përgjegjësitë konkrete dhe mënyrën se si një objekt i këtyre përmasave arriti të ndërtohej për muaj me radhë pa leje dhe pa u ndalur nga strukturat përgjegjëse.






