Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën dhe 23 të tjerë janë plagosur pasi një 14-vjeçar hapi zjarr fillimisht në banesën e tij dhe më pas në shkollën ku studionte, në periferi të Bangkokut në Tajlandë.

Sipas autoriteteve tajlandeze, adoleshenti vrau gjyshërit e tij në banesë dhe më pas shkoi në shkollën Debsirin në Nonthaburi, ku vrau pesë mësues. Sulmuesi më pas i dha fund jetës. Nëntë prej personave të plagosur ndodhen në gjendje kritike.

Kryeministri Anutin Charnvirakul deklaroi se sulmi ishte përgatitur paraprakisht dhe se autori kishte vepruar me objektiva të përcaktuara. Policia u dislokua në shkollë menjëherë pas nisjes së të shtënave, pak pas orës 10:00 me orën lokale.

Nxënësit dhe stafi u larguan me shpejtësi nga ndërtesa, ndërsa personave që kishin mbetur brenda iu kërkua të fshiheshin dhe të prisnin ndërhyrjen e forcave të sigurisë. Shkollat e tjera pranë zonës ndërprenë mësimin dhe dërguan nxënësit në shtëpi.

Policia nuk ka bërë publik identitetin e 14-vjeçarit dhe ende nuk ka përcaktuar motivin e sulmit. Hetuesit kanë kontrolluar edhe banesën ku ai jetonte me gjyshërit dhe kanë marrë pajisje elektronike dhe materiale të tjera për ekzaminim. Prindërit e tij, të cilët ishin të divorcuar, janë marrë në pyetje.

Ngjarja ka rikthyer debatin për kontrollin e armëve në Tajlandë. Megjithëse vendi ka ligje të rrepta, ai ka një nga nivelet më të larta të zotërimit të armëve nga civilët në Azinë Juglindore dhe vlerësohet se rreth 40 për qind e armëve në qarkullim janë të paligjshme.

Pas masakrës, kryeministri njoftoi se qeveria do të propozojë një ligj të ri për kontrollin e armëve, që do të vendosë kufizime të tjera për mbajtjen e tyre në publik.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu