
Shkencëtarë nga Universiteti Stanford kanë përdorur për herë të parë inteligjencën artificiale për të projektuar viruse të rinj plotësisht funksionalë, të aftë të shumohen në laborator.
Bëhet fjalë për 16 bakteriofagë, viruse që infektojnë vetëm bakteret dhe nuk paraqesin rrezik për njerëzit. Studiuesit përdorën modele të inteligjencës artificiale të trajnuara mbi miliona sekuenca gjenetike për të krijuar genome të reja, të cilat më pas u sintetizuan dhe u testuan në laborator. Nga 302 projektimet më premtuese, 16 rezultuan efektive në shkatërrimin e bakterit E. coli.
Sipas autorëve të studimit, kjo teknologji mund të ndihmojë në zhvillimin e terapive të reja kundër infeksioneve rezistente ndaj antibiotikëve dhe të hapë një epokë të re në biologjinë sintetike.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se avancimi ngre edhe shqetësime serioze për sigurinë biologjike. Në një koment shoqërues të botuar në revistën Science, studiues nga Johns Hopkins kërkuan masa të forta mbrojtëse për të parandaluar përdorimin e teknologjisë në krijimin e viruseve që mund të shkaktojnë sëmundje.
Vetë ekipi kërkimor thekson se modeli u trajnua vetëm me viruse që infektojnë baktere dhe se të gjitha eksperimentet u zhvilluan në kushte të kontrolluara laboratorike.






