
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se aktualisht nuk ka asnjë takim të planifikuar me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, Abdixhiku u shpreh se nuk ka zhvillime të reja për të komentuar. “Dje pata konferencë, nuk kam çka të shtoj. Nuk ka asgjë tjetër të re”, deklaroi ai para gazetarëve.
Ndërkohë, deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, ritheksoi se mes LDK-së dhe Vetëvendosjes nuk ekziston asnjë marrëveshje për formimin e një koalicioni qeverisës.
Sipas saj, posti i presidentit të Kosovës mund të shërbejë si mekanizëm për ruajtjen e balancës institucionale, duke nënvizuar rëndësinë e ekuilibrave mes pushteteve.
Deklaratat vijnë një ditë pas takimit mes Kurtit dhe Abdixhikut, ndërsa vijojnë diskutimet politike për konstituimin e institucioneve të reja në Kosovë.






