Autoritetet gjermane kanë shpallur alarm sigurie pasi një dron që mbante një pajisje shpërthyese u zbulua gjatë natës në zonën e operimit të ngarkesave në Aeroportin Leipzig/Halle.

Sipas policisë së Saksonisë, në vendngjarje u dërgua një robot i specializuar, ndërsa njësia për çaktivizimin e eksplozivëve e Policisë Federale arriti të neutralizojë detonatorin e pajisjes.

Në një incident të dytë, një objekt ende i paidentifikuar u përplas me një avion mallrash pranë të njëjtit aeroport. Avioni u ul në Hanover, ku u konstatuan vetëm dëme të lehta.

Sipas një zëdhënësi të policisë, droni u gjet pranë avionëve transportues ukrainas Antonov të parkuar në aeroport. Pas ndërhyrjes së forcave të sigurisë, pista veriore u rihap, ndërsa pista jugore, që shërben si qendër logjistike e DHL-së, mbetet e mbyllur.

Ministri i Brendshëm i Saksonisë, Armin Schuster, e cilësoi ngjarjen si “një incident shumë serioz të sigurisë”.

Gjermania ka regjistruar muajt e fundit një seri fluturimesh të paautorizuara me dronë mbi objekte të ndjeshme, përfshirë aeroporte, baza ushtarake dhe terminale energjetike. Policia Federale ka paralajmëruar se disa prej tyre mund të jenë organizuar nga agjentë rusë, megjithëse deri tani nuk është bërë publik ndonjë përfundim zyrtar për incidentin e fundit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu