
Partia Socialiste nuk ka ndërmend të tërhiqet nga propozimi për reformën e re territoriale, pavarësisht protestave të zhvilluara në disa bashki dhe kundërshtimeve të drejtuesve vendorë.
Në një intervistë për A2 CNN, bashkëkryetari socialist i komisionit për reformën territoriale, Arbjan Mazniku, deklaroi se kundërshtitë në terren nuk lidhen me mungesën e transparencës, por, sipas tij, me interesa personale të disa zyrtarëve vendorë që nuk duan të humbasin postet e tyre.
Mazniku komentoi edhe qëndrimin e deputetit socialist të Vlorës, Vullnet Sinaj, i cili është shprehur kundër shkrirjes së Bashkisë Selenicë, duke theksuar se të gjitha mendimet do të shqyrtohen në Komisionin e Ligjeve, me nisjen e sesionit të ri parlamentar në shtator.
Ai përjashtoi mundësinë e zhvillimit të një referendumi për reformën territoriale, siç është propozuar nga opozita, duke theksuar se debati duhet të zhvillohet në Kuvend.
Sipas Maznikut, vendimi përfundimtar do të merret nga Parlamenti, ku Partia Socialiste disponon shumicën e nevojshme për miratimin e reformës.






