
Prokuroria Speciale e Kosovës ka zgjeruar hetimet për krimet e luftës në komunën e Zubin Potokut, duke nisur kërkimet edhe në një lokacion të tretë.
Operacioni po zhvillohet në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ndërsa deri më tani janë arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Gjatë kontrolleve në fshatin Jabukë janë gjetur mbetje mortore, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave të ADN-së për identifikimin e viktimave.
Ndërkohë, gërmimet po vazhdojnë edhe në fshatin Kalludër e Vogël, ndërsa hetuesit kanë nisur verifikimet edhe në një vend të tretë, për të zbuluar prova të tjera që lidhen me krimet e luftës.
Prokuroria bëri të ditur se prokurorja e çështjes ka qenë personalisht në terren së bashku me hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, duke mbikëqyrur të gjitha veprimet hetimore.
Për shkak të ndjeshmërisë së hetimeve, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera, duke bërë të ditur se informacionet e reja do të publikohen vetëm kur kjo të mos dëmtojë procesin hetimor.






