
Shqipëria është përballur me një numër rekord sulmesh kibernetike gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026. Sipas Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), nga janari deri në qershor janë regjistruar plot 14,628,595 tentativa për ndërhyrje në sistemet e informacionit.
Statistikat tregojnë se kjo përkthehet në rreth 56.4 tentativa sulmesh çdo minutë, duke dëshmuar se infrastruktura digjitale e vendit mbetet nën presion të vazhdueshëm.
Sipas AKSK-së, 54% e sulmeve kanë pasur në shënjestër infrastrukturat e rëndësishme të informacionit, ndërsa 46% janë drejtuar ndaj infrastrukturave kritike të informacionit.
Tentativat kanë prekur sektorë strategjikë si sistemi financiar, administrata publike, infrastruktura digjitale, energjia dhe shërbime të tjera me rëndësi për funksionimin e shtetit.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike bën me dije se monitorimi i kërcënimeve vijon pa ndërprerje, ndërsa po forcohen masat mbrojtëse për të rritur sigurinë dhe qëndrueshmërinë e sistemeve të informacionit në vend.






