
Të shtëna me armë zjarri dyshohet se janë regjistruar mbrëmjen e së dielës në det, përballë zonës së Palasës në Himarë.
Sipas njoftimit paraprak të Policisë, rreth orës 21:00 është marrë informacion se nga një jaht është qëlluar në ajër me armë zjarri.
Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare janë vënë në ndjekje të mjetit lundrues.
Në të njëjtën kohë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë dhe Stacionit të Policisë Dhërmi kanë nisur kontrolle nga toka përgjatë vijës bregdetare për të ndihmuar në lokalizimin e jahtit.
Policia bën me dije se operacioni është ende në vijim, ndërsa po punohet për verifikimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë të saj. Informacion më i detajuar pritet të bëhet publik pas përfundimit të operacionit dhe veprimeve të para hetimore.






