
Nisma “Prania Besnike” do të shtrihet nga java e ardhshme edhe te ministrat e qeverisë. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Eriona Ismaili, pas mbledhjes së qeverisë.
Sipas Ismailit, duke nisur nga e premtja e ardhshme, ministrat do të vendosin në dispozicion të qytetarëve orare të posaçme për takime të drejtpërdrejta.
Për këtë qëllim, secili ministër do të publikojë kalendarin përkatës, në mënyrë që qytetarët të dinë se kur mund të paraqiten për të ngritur shqetësimet apo problematikat e tyre.
“Prania Besnike” është konceptuar si një mekanizëm komunikimi të drejtpërdrejtë me qytetarët. Nisma ka nisur me strukturat politike të Partisë Socialiste, ndërsa tashmë do të përfshijë edhe anëtarët e kabinetit qeveritar.
Zgjerimi i saj vjen pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama që qytetarët të kenë mundësi të komunikojnë drejtpërdrejt me përfaqësuesit politikë dhe qeveritarë për problematikat që hasin.






