
Një studim i ri i shkencëtarëve nga Universiteti Purdue në SHBA ka hedhur dritë mbi mënyrën se si u zhdukën dinosaurët 66 milionë vjet më parë, duke sfiduar teorinë e deritanishme mbi katastrofën që ndryshoi historinë e Tokës.
Sipas kërkimit, të publikuar në revistën shkencore Journal of Geophysical Research: Biogeosciences, shkaku kryesor i zhdukjes nuk ishte vala e goditjes apo topi gjigant i zjarrit i krijuar nga përplasja e asteroidit Chicxulub me Tokën.
Studiuesit arritën në përfundimin se ndikimin vendimtar e pati reja gjigante e pluhurit dhe mbetjeve të ngritura në atmosferë pas përplasjes. Kjo shtresë bllokoi rrezatimin termik, duke krijuar një efekt “furre”, ku nxehtësia u grumbullua për një kohë të gjatë dhe temperatura në sipërfaqen e planetit u rrit në nivele vdekjeprurëse.
Sipas autorit kryesor të studimit, Brandon Johnson, dinosaurët mbetën të bllokuar në këtë mjedis ekstrem dhe u “poqën” nga nxehtësia, ndërsa fenomenet si vala goditëse apo topi i zjarrit, megjithëse shkatërruese, nuk do të kishin qenë të mjaftueshme për të shkaktuar një zhdukje globale.
Studiuesit kujtojnë se përplasja e asteroidit kishte avulluar mbi 1.000 kilometra kub material, duke krijuar një perde të dendur pluhuri që mbuloi atmosferën e Tokës.
Zbulimi i ri ndryshon mënyrën se si shkencëtarët e interpretojnë zhdukjen masive që eliminoi rreth 75% të specieve në planet dhe i dha fund epokës së dinosaurëve.






