Përplasja mes UEFA-s dhe FIFA-s është thelluar, pasi qeveria europiane e futbollit deklaroi se ka humbur besimin te presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Reagimi vjen pasi FIFA tërhoqi planin e debatueshëm për shitjen e aksioneve të kompeticioneve të saj te investitorë privatë, pas kundërshtimit të fortë nga UEFA dhe konfederata të tjera.

Në një deklaratë të ashpër, UEFA e cilësoi tërheqjen e projektit si “fitore për të gjithë futbollin”, por akuzoi Infantinon se ka dështuar të mbajë premtimet për transparencë dhe përdorimin e fondeve në interes të zhvillimit të lojës.

Sipas UEFA-s, skema ishte përgatitur në mënyrë të fshehtë dhe pa konsultim me federatat anëtare. Organizata kërkoi identifikimin e përgjegjësve për projektin dhe paralajmëroi reforma në mënyrën e qeverisjes së futbollit botëror.

Edhe Federata Angleze e Futbollit mbështeti qëndrimin e UEFA-s, duke kërkuar një rishikim të plotë të drejtimit dhe qeverisjes së FIFA-s. Kritika erdhën edhe nga Konfederata Aziatike dhe ajo e Amerikës së Veriut, ndërsa presioni ndaj Infantinos rritet përpara zgjedhjeve të ardhshme për president të FIFA-s në mars.

Plani i tërhequr parashikonte krijimin e një kompanie të re që do të administronte aktivitetet kryesore të FIFA-s, ku investitorë privatë do të blinin aksione, një ide që u kundërshtua me argumentin se Kupa e Botës nuk mund të trajtohet si një produkt investimi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu