
Kriza migratore në enklavën spanjolle të Ceutës po përshkallëzohet me ritme të paprecedenta. Sipas autoriteteve lokale, rreth 60 mijë migrantë kanë hyrë në territor nga Maroku vetëm gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa të paktën 34 persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjes për të kaluar kufirin.
Presidenti i Ceutës, Juan Jesús Vivas, e cilësoi situatën “të paqëndrueshme”, duke theksuar se numri i të mbërriturve përfaqëson afro 70% të popullsisë së qytetit. Ministria e Brendshme spanjolle dha një bilanc më të ulët, duke folur për rreth 50 mijë hyrje, ndërsa bëri të ditur se mbi 25 mijë migrantë janë kthyer vullnetarisht në Marok.
Kryeministri Pedro Sánchez, gjatë vizitës në Ceuta, e përshkroi fluksin si një “sulm” ndaj kufijve të Spanjës dhe deklaroi se të gjithë emigrantët që kanë hyrë në mënyrë të paligjshme do të kthehen në Marok sa më shpejt të jetë e mundur. Ai njoftoi gjithashtu dërgimin e forcave të armatosura për të përforcuar sigurinë në Ceuta dhe Melilla.
View this post on Instagram
Sánchez fajësoi rrjetet e trafikimit të emigrantëve për përhapjen e informacionit të rremë pas vendimit të fundit të Gjykatës Supreme të Spanjës, sipas të cilit emigrantët e ndaluar në det gjatë rrugës drejt Ceutës ose Melillës nuk mund të kthehen menjëherë në Marok.
Ndërkohë, reagimet në Europë kanë qenë të forta. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, i cilësoi pamjet nga Ceuta si “të papranueshme” dhe kërkoi ndalimin e menjëhershëm të kalimeve të paligjshme. Kancelari gjerman Friedrich Merz kërkoi që Maroku t’i marrë menjëherë mbrapsht emigrantët, ndërsa kryeministrja italiane Giorgia Meloni e konsideroi situatën një kërcënim për sigurinë europiane.
Sipas autoriteteve spanjolle, rreth 7 mijë nga migrantët që kanë hyrë në Ceuta janë të mitur. Shumica kanë kaluar kufirin duke notuar rreth barrierave detare ose përmes zonave kufitare, ndërsa ende nuk është e qartë pse forcat kufitare marokene nuk arritën ta ndalonin këtë fluks masiv.






