
Partia Socialiste synon që zgjedhjet vendore të vitit 2027 të zhvillohen me hartën e re administrativo-territoriale, e cila parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46.
Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Territoriale, Arbjan Mazniku, deklaroi se ndryshimet lidhen me procesin e integrimit europian dhe forcimin e qeverisjes vendore. Sipas tij, nëse reforma nuk miratohet para zgjedhjeve të vitit 2027, vendi rrezikon të humbasë një cikël të tërë reformimi.
Mazniku tha se objektivi është që bashkitë të kenë më shumë kapacitete administrative dhe financiare për të përfituar fonde europiane pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Duke iu përgjigjur kundërshtimeve për shkrirjen e disa bashkive, përfshirë protestat në Poliçan, ai deklaroi se asnjë shërbim nuk do të largohet nga qytetet që bashkohen me njësi më të mëdha dhe se banorët do të vazhdojnë të marrin të njëjtat shërbime.
Mazniku sqaroi gjithashtu se ndryshimi territorial i Rinasit është propozuar për shkak se Tirana përballon kostot infrastrukturore që lidhen me aeroportin, ndërsa përfitimet ekonomike administrohen nga një bashki tjetër.
Sipas tij, reforma nuk është ndërtuar mbi llogari politike, por mbi kritere të eficiencës dhe funksionimit më të mirë të pushtetit vendor.






