Shqipëria ka hedhur një hap të ri në industrinë e mbrojtjes me dorëzimin e flotës së parë prej 40 mjeteve taktike të prodhuara në vend sipas standardeve të NATO-s. Mjetet janë prodhuar nga kompania “TIMAK Defence”, në partneritet me kompaninë shtetërore “KAYO”, dhe i janë dorëzuar Forcave të Armatosura.

Në ceremoninë e zhvilluar këtë të premte, kryeministri Edi Rama e cilësoi ngjarjen si historike për industrinë ushtarake shqiptare, duke theksuar se vendi nuk është më vetëm përdorues i teknologjisë së mbrojtjes, por edhe zhvillues dhe prodhues i saj.

Rama tha se strategjia e qeverisë synon që shteti të jetë partner në investimet e industrisë së mbrojtjes përmes kompanisë publike “KAYO”, ndërsa theksoi se Shqipëria do të prodhojë gjithnjë e më shumë pajisje për nevojat e saj dhe për eksport.

Sipas kryeministrit, objektivi është që deri në vitin 2028 Forcat e Armatosura të pajisen plotësisht me mjetet e nevojshme sipas standardeve të NATO-s. Ai shtoi se në Shqipëri po prodhohen edhe automjete zjarrfikëse dhe autoambulanca, ndërsa mirëmbajtja e flotave do të kryhet brenda vendit.

Rama deklaroi gjithashtu se vendi synon të zgjerojë prodhimin edhe në sisteme më të avancuara të mbrojtjes, duke përfshirë dronë inteligjentë dhe pajisje të sofistikuara kundërajrore. Ai bëri të ditur se produktet e kompanisë shqiptare kanë marrë tashmë porosi nga rreth 30 vende dhe organizata ndërkombëtare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu