Aktivistja Marjana Koçeku ka reaguar pas deklaratës së ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriç, se Shqipëria dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje në parim për hapjen e zyrave konsullore në Shkodër dhe Bujanoc.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Koçeku e cilësoi të pazakontë hapjen e një konsullate serbe në Shkodër dhe ngriti pikëpyetje mbi arsyet e këtij vendimi, duke kërkuar sqarime nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.

Sipas saj, hapja e një konsullate shqiptare në Bujanoc është e nevojshme për shkak të pranisë së komunitetit shqiptar, ndërsa në rastin e Shkodrës nuk ekzistojnë elementët që, sipas Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore, justifikojnë një përfaqësi të tillë diplomatike.

Koçeku iu referua të dhënave të Censit 2023, sipas të cilave në qarkun e Shkodrës janë vetëm 54 persona të vetëdeklaruar si serbë, duke argumentuar se kjo nuk krijon nevojë reale për shërbime konsullore.

Ajo shprehu dyshimin se lëvizja mund të ketë motive gjeopolitike dhe theksoi se çdo hap në marrëdhëniet me Serbinë duhet të shoqërohet me transparencë, debat publik dhe analizë të kujdesshme.

Në reagimin e saj, Koçeku shtoi se Serbia vijon të mbajë qëndrime që, sipas saj, bien ndesh me interesat e Kosovës dhe shqiptarëve, ndaj hapja e një konsullate serbe në Shkodër nuk do t’i shërbente interesave kombëtare dhe as aspiratave euroatlantike të Shqipërisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu