
Ushtria amerikane ka nisur një valë të re sulmesh ndaj objektivave iraniane, në përgjigje të asaj që e cilësoi si një përpjekje për sulm surprizë ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) deklaroi se operacioni përbën një “përgjigje të fuqishme” ndaj sulmeve të së martës, kur Irani lëshoi raketa ndaj bazave amerikane në Jordani dhe goditi anije në Ngushticën e Hormuzit.
Përshkallëzimi vjen një ditë pasi SHBA dhe Arabia Saudite ndërmorën sulmet e para të përbashkëta të shpallura publikisht, duke goditur objektiva të grupeve të mbështetura nga Irani në Irak.
Konflikti, që nisi pesë muaj më parë pas sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit, vazhdon pa shenja zbutjeje. Presidenti amerikan Donald Trump kishte deklaruar në fillim se lufta do të zgjaste vetëm disa javë, por përplasjet janë intensifikuar.
Sipas Axios, Trump zhvilloi një takim me ministrin saudit të Mbrojtjes, Princin Khalid bin Salman, i cili përcolli mesazhin se Arabia Saudite kërkon uljen e tensioneve në rajon. Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar zyrtarisht raportimin.
Pak orë përpara nisjes së sulmeve, Trump paralajmëroi se SHBA do t’i përgjigjej ashpër Iranit.
“Do t’i godasim shumë fort, sepse tani është radha jonë. Ata e dinë që po vjen dhe na kërkuan të mos e bënim”, deklaroi presidenti amerikan.
Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) tha se kishte shënjestruar një bazë ajrore amerikane dhe një qendër komanduese në Jordani, duke e cilësuar sulmin si përgjigje ndaj “akteve të agresionit të ushtrisë amerikane”. Teherani njoftoi gjithashtu se forcat e tij detare goditën tre cisterna nafte në Ngushticën e Hormuzit, duke pretenduar se ato kishin lundruar në një korridor të paligjshëm.
Javën e kaluar, Trump pezulloi një fushatë intensive bombardimesh që zgjati 13 net radhazi dhe që, sipas SHBA-së, kishte në shënjestër objekte ushtarake iraniane.
Ndërkohë, të martën, SHBA dhe Arabia Saudite goditën disa baza të milicive proiraniane në Irak. Forcat e Mobilizimit Popullor (PMF) njoftuan se të paktën 20 anëtarë të tyre u vranë, ndërsa presidenca irakiane e dënoi operacionin si shkelje të sovranitetit të vendit. Megjithatë, Trump deklaroi se sulmet ishin koordinuar me qeverinë e Irakut.






