Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka publikuar raportin e parë mbi dokumentimin e viktimave të luftës, ku rezulton se gjatë periudhës 1 janar 1998 – 20 qershor 1999 janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima.

Në prezantimin e raportit, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se mes viktimave janë 1.047 fëmijë të vrarë, 94 fëmijë që humbën jetën si pasojë e kushteve të luftës, ndërsa fati i rreth 100 fëmijëve të zhdukur vijon të mbetet i panjohur. Sipas tij, vetëm në periudhën mars-qershor 1999 u vranë rreth 9 mijë persona.

Kurti tha se lista e publikuar është paraprake dhe do të plotësohet me të dhëna dhe dëshmi të reja, duke theksuar se “pa dokumentim nuk ka kujtesë, drejtësi dhe paqe të qëndrueshme”. Ai u bëri thirrje qytetarëve që disponojnë informacione të bashkëpunojnë me institutin.

Kryeministri në detyrë kritikoi gjithashtu Serbinë për moszbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur të dakordësuar në Bruksel më 2 maj 2023 dhe kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare të ushtrojë presion për hapjen e arkivave ushtarake, me qëllim zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Drejtori i Institutit, Atdhe Hetemi, sqaroi se raporti nuk përfshin 267 persona të listuar më parë, pasi ata janë vrarë jashtë territorit të Kosovës. Ai theksoi se kjo nuk ua mohon statusin e viktimës, por lidhet me kriteret metodologjike të studimit.

Sipas raportit, shumica e viktimave ishin meshkuj të grupmoshës 18 deri në 50 vjeç, ndërsa ndër kategoritë më të prekura rezultojnë edhe fëmijët dhe personat mbi 65 vjeç. Rajonet me numrin më të lartë të viktimave janë Gjakova, Mitrovica dhe Prishtina, ndërsa Gjilani rezulton rajoni më pak i prekur. Raporti evidenton gjithashtu se viti 1999, veçanërisht muajt e parë të tij, ishte periudha me numrin më të madh të viktimave.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu