
Bilanci i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi prefekturën Kumamoto në jugperëndim të Japonisë është rritur në 13, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë operacionet për të gjetur personat e bllokuar nën rrënoja.
Operacionet e kërkim-shpëtimit po zhvillohen kryesisht në qendrën tregtare Aeon Mall në qytetin Kashima dhe në fabrikën e letrës Nippon Paper në Yatsushiro. Kryeministrja Sanae Takaichi e ka cilësuar situatën si një “garë me kohën”, duke bërë të ditur se në terren janë angazhuar 4.600 efektivë të policisë, zjarrfikësve dhe Forcave të Vetëmbrojtjes.
Sipas autoriteteve, rreth 7.700 persona janë strehuar në 450 qendra evakuimi, ndërsa afro 36.700 familje vazhdojnë të jenë pa energji elektrike. Qeveria po dërgon ushqime, ujë, gjeneratorë dhe 300 njësi kondicionerësh për shkak të temperaturave që pritet të arrijnë në 35 gradë Celsius.
Ndërkohë, në qytetin Hikawa janë shembur të paktën 18 banesa dhe dy persona janë gjetur pa shenja jete, ndërsa ekipet vazhdojnë të kërkojnë banorë të tjerë të bllokuar.
Tërmeti goditi Japoninë të martën pasdite. Agjencia Meteorologjike Japoneze e vlerësoi me magnitudë 7.1, ndërsa Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) e regjistroi me magnitudë 6.8.
Banorët përshkruajnë lëkundjet si më të fortat që kanë përjetuar ndonjëherë, ndërsa pasgoditjet vazhdojnë dhe autoritetet paralajmërojnë për rrezik të mëtejshëm.






