Ermal Beqiraj, 44 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK në kuadër të dosjes së AKSHI-t, është arrestuar në Francë. Lajmi u konfirmua nga Policia e Shtetit, pas bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Lion.

Sipas policisë shqiptare, Beqiraj u ndalua fillimisht nga Forcat Ajrore dhe të Hapësirës të Francës, të cilat më pas ia referuan çështjen Xhandarmërisë Franceze. Aktualisht ai ndodhet në paraburgim dhe ditën e nesërme pritet të dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku do t’i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar dhe do të nisin procedurat për ekstradimin drejt Shqipërisë.

Mediat franceze raportojnë se arrestimi erdhi pasi ai pilotoi një avion të vogël civil mbi centralin bërthamor të Penly, në rajonin Seine-Maritime. Sipas Le Journal du Dimanche, avioni zbriti në rreth 3.500 këmbë, nën lartësinë minimale të lejuar mbi objektin strategjik, duke aktivizuar menjëherë autoritetet franceze.

Avioni u shoqërua nga Forcat Ajrore deri në aeroportin e Albert, ku piloti u arrestua. Gjatë kontrollit, hetuesit gjetën tre pajisje AirTag të fshehura në rrobat e tij, një detaj që, sipas medias franceze, ka ngritur dyshime se ai mund të ketë vepruar nën udhëzimet e një personi tjetër. Për këtë arsye, autoritetet nuk kanë përjashtuar as pistën e mundshme të spiunazhit.

Vetë Beqiraj u ka deklaruar hetuesve se kishte gabuar lartësinë e fluturimit dhe se në momentin kur kaloi mbi centralin bërthamor po fliste në telefon me nënën e tij. Megjithatë, autoritetet franceze kanë ngritur pikëpyetje edhe mbi itinerarin e fluturimit.

Sipas raportimeve, ai është gjobitur me 7.000 euro për shkeljen e rregullave të fluturimit dhe më pas është dorëzuar tek Zyra Qendrore Franceze për Luftën kundër Krimit të Organizuar.

Ndërkohë, Policia e Shtetit bën me dije se ndaj 44-vjeçarit, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën “Arrest në burg” për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu