Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) e Kosovës ka konfirmuar raste të sëmundjes së lisë së dhenve dhe dhive në komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtërpcë dhe Viti, duke u bërë thirrje fermerëve të marrin masa të menjëhershme për të parandaluar përhapjen e virusit.

Sipas AUV-së, ekziston rreziku që sëmundja të përhapet edhe në zona të tjera, ndaj fermerët duhet të respektojnë me rigorozitet masat e biosigurisë.

Autoriteti veterinar kërkon që delet dhe dhitë të mos lëvizen nga fermat pa autorizimin e veterinerit zyrtar, të kufizohet hyrja e personave dhe mjeteve të paautorizuara, si dhe të shmanget kontakti me tufat e fermave të tjera.

Po ashtu rekomandohet dezinfektimi i rregullt i ambienteve, pajisjeve dhe mjeteve të transportit, izolimi i kafshëve të sapoblera dhe kontrolli i përditshëm i gjendjes shëndetësore të tufave.

AUV u bën thirrje fermerëve të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshuar, nëse kafshët shfaqin temperaturë të lartë, puçrra ose plagë në lëkurë, gojë, hundë apo gjinj, rrjedhje nga sytë ose hunda, mungesë oreksi, dobësi apo ngordhje.

Agjencia thekson se kafshët e dyshuara nuk duhet të trajtohen apo të lëvizen pa udhëzimet e autoriteteve veterinare.

Sipas AUV-së, lija e dhenve dhe dhive nuk transmetohet te njerëzit dhe nuk përbën rrezik për shëndetin publik, por mund të shkaktojë dëme të mëdha ekonomike për fermerët dhe sektorin e blegtorisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu