
Procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme i ka sjellë deri tani buxhetit të shtetit rreth 50 milionë euro të ardhura, ndërsa mbi 416 milionë euro detyrime dhe gjoba janë falur për bizneset përmes skemave të lehtësimit fiskal. Shifrat u bënë publike nga ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë prezantimit të rezultateve të gjashtëmujorit të parë të vitit.
Sipas Malajt, që nga nisja e procesit të rivlerësimit në shkurt 2026 janë arkëtuar 5 miliardë lekë, ose rreth 50 milionë euro. Ai theksoi se kjo shumë është pothuajse në nivelin e procesit të rivlerësimit të vitit 2022 dhe pritet të rritet deri në përfundimin e afatit më 31 dhjetor 2026.
Ministri prezantoi edhe ecurinë e skemës së re të kompensimit me 10% të TVSH-së për fermerët, e cila ka hyrë në fuqi më 1 korrik. Deri tani janë regjistruar 2,397 aplikime, ndërsa vlera potenciale e kompensimit deri në fund të vitit arrin në 13.5 milionë euro. Sipas tij, subjektet grumbulluese dhe përpunuese duhet të vijojnë lëshimin e autofaturave, në mënyrë që fermerët të përfitojnë nga skema.
Gjatë konferencës u publikuan edhe të dhënat për rimbursimin përmes platformës DIVA. Deri tani kanë përfituar 39,965 individë, mes tyre persona me tatim të mbipaguar dhe familje me një ose dy fëmijë nën moshën 18 vjeç. Administrata Tatimore po vijon procesin edhe për familjet me më shumë se dy fëmijë, ndërsa fondi i parashikuar për këtë skemë është 1.5 miliardë lekë, ose rreth 15 milionë euro.
Malaj bëri të ditur gjithashtu se Administrata Tatimore dhe ajo Doganore kanë falur deri tani rreth 41.6 miliardë lekë, ose 416 milionë euro detyrime, gjoba dhe kamatëvonesa për bizneset dhe tatimpaguesit që plotësojnë kushtet e përcaktuara në ligj. Sipas tij, nga falja pa kusht kanë përfituar mbi 121 mijë tatimpagues, ndërsa mijëra subjekte të tjera janë përfshirë në skemat e faljes me kusht, që parashikojnë shlyerjen e një pjese të detyrimeve për të përfituar fshirjen e pjesës tjetër.






