Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër pas incidentit të ndodhur në Kuvend, ku deputeti Agron Shehaj mori nga salla e seancave një dokument të klasifikuar që lidhej me marrëveshjen e kredisë amerikane.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama e cilësoi Shehajn “grabitës të dokumenteve të klasifikuara”, duke përdorur një gjuhë të fortë ndaj deputetit të opozitës.

“Ky tipi që vjedh një dokument të klasifikuar dhe ia fut vrapit, është një ballist që ngre dhe ul hajdut kë i del përpara, por siç e shihni sot tentoi të ikte me vrap njësoj si ballistët pasi hynin në kotec për të grabitur pula, duke na dëshmuar botërisht se vesi del me shpirtin”, shkroi Rama.

Kreu i qeverisë i bëri thirrje Prokurorisë që të veprojë për këtë rast, duke kërkuar zbatimin e ligjit ndaj Shehajt.

“Uroj, po nuk shpresoj, që Prokuroria t’i tregojë vendin e përcaktuar nga ligji për grabitësit e dokumenteve të klasifikuara kësaj sorre vjedhacake të mbushur me urrejtje”, vijoi ai.

Rama reagoi edhe për incidentin ku një punonjëse e Kuvendit u rrëzua në shkallë gjatë përpjekjes për të ndaluar largimin e Shehajt me dokumentin.

“Ndërkohë i shpreh keqardhje vajzës së pafajshme, duke falënderuar Zotin që shpëtoi pa dëme serioze nga rendja në panik pas hajdutit”, përfundoi kryeministri.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu