
Gjysmëfinalja e dytë e Kupës së Botës 2026 do të luhet mbrëmjen e sotme, ku Anglia dhe Argjentina do të përballen për një vend në finalen e madhe, aty ku i pret Spanja.
Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin e Atlantës, me fillim në orën 20:00 (BST), ndërsa fituesi do të sfidojë Spanjën në finalen e së dielës.
Sfida shënon përballjen e parë të Lionel Messit ndaj Anglisë në karrierën e tij, ndërsa është edhe takimi i parë mes dy kombëtareve në një kompeticion zyrtar që nga Botërori i vitit 2002.
Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, pranoi se ndihet “nervoz”, por theksoi se nuk e ndien peshën e përgjegjësisë përpara një prej ndeshjeve më të rëndësishme të karrierës së tij. Mbrojtësi Marc Guehi deklaroi se presioni është mbi Argjentinën, kampionen në fuqi të botës.
Në kampin anglez pritet një vendim në momentet e fundit për aktivizimin e mesfushorit Declan Rice, i cili vazhdon të monitorohet nga stafi mjekësor.
Nga ana tjetër, Lionel Messi mbetet figura kryesore e Argjentinës. Edhe pse në moshën 39-vjeçare vrapon më pak se në Botërorët e kaluar, statistikat tregojnë se ai është më vendimtar se kurrë, me mesatare rekord për gola dhe asiste në këtë turne.
Përballja rikthen një nga rivalitetet më të mëdha në historinë e futbollit botëror, që nga finalja e vitit 1966, “Dora e Zotit” e Diego Maradonës në 1986, kartoni i kuq i David Beckham në 1998 dhe fitorja e Anglisë në Botërorin 2002.
Autoritetet amerikane kanë shtuar masat e sigurisë në Atlanta për shkak të historikut të rivalitetit mes dy vendeve, ndërsa trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, ka bërë thirrje që politika të mos përzihet me futbollin.






