
Ish-ministri gjerman për Çështjet Evropiane, Michael Roth, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunović, e cila tha se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Roth e cilësoi deklaratën si të papranueshme dhe ngriti pikëpyetje mbi aspiratat evropiane të Serbisë.
“Një ministre serbe fantazon hapur për ‘spastrimin etnik’ të Kosovës dhe pothuajse nuk ka asnjë reagim në politikë apo në shoqëri. Si është e mundur që një vend të anëtarësohet në Bashkimin Europian në këtë mënyrë? Urrejtja dhe nacionalizmi nuk ndërtojnë partneritet. Kjo është thjesht e trishtueshme dhe frustruese”, shkroi Roth.
Deklarata e ministres serbe ka shkaktuar reagime edhe nga Bashkimi Europian, i cili e dënoi retorikën e saj, duke e konsideruar të papajtueshme me vlerat europiane dhe procesin e integrimit.






