Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

Përmes një postimi në Facebook, Balla e cilësoi deklaratën si një tjetër dëshmi të mentalitetit që, sipas tij, vazhdon të mbetet i pranishëm në Serbi.

“Ne shqiptarët kemi një shprehje për ujkun, por anglezët kanë një shprehje të ngjashme: ‘Leopardi nuk mund t’i ndryshojë njollat e tij’. Kjo deklaratë e një ministri serb është një tjetër njollë turpi e neveritshme”, shkroi Balla.

Deklarata e ministres serbe ka nxitur reagime të forta edhe nga Bashkimi Evropian. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, theksoi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon apo promovon spastrimin etnik dhe se deklarata të tilla bien ndesh me vlerat themelore të BE-së.

Reagime pati edhe brenda Serbisë, ku Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG) kërkoi shkarkimin e menjëhershëm të Paunoviqit, duke e akuzuar për gjuhë urrejtjeje dhe promovim të spastrimit etnik.

Edhe deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, e cilësoi deklaratën si skandaloze dhe të papranueshme, duke paralajmëruar se do të kërkojë shkarkimin e ministres.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu