
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ndaj kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar nisjen e hetimeve për mënyrën e financimit të koncertit të artistit Kanye West nga fondi rezervë i shtetit.
Në kallëzimin e firmosur nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, opozita i referohet edhe librit “The Albanian Files – Freedom and Architecture” (“Dosjet Shqiptare – Liria dhe Arkitektura”), me redaktore Anneke Abhelakh, si një prej materialeve që, sipas saj, lidhet me çështjen objekt të hetimit.
Dokumenti është depozituar në SPAK, i cili tashmë pritet të shqyrtojë materialin dhe të vendosë nëse do të regjistrojë procedimin penal dhe do të nisë hetimet.
Në këtë fazë, bëhet fjalë për pretendime të ngritura nga kallëzuesi, të cilat nuk përbëjnë provë të fajësisë dhe nuk nënkuptojnë përgjegjësi penale për personat e kallëzuar pa një vendimmarrje të organeve të drejtësisë.






