Një fluturim i Wizz Air nga Londra drejt Athinës ishte vetëm pak sekonda larg një aksidenti të rëndë ajror, pasi pilotët kryen një gabim në llogaritjet e ngritjes së avionit, sipas hetimit të autoriteteve britanike.

Incidenti ndodhi më 22 prill 2025 në aeroportin Luton, por detajet u bënë publike vetëm tani, pas raportit të publikuar nga Air Accidents Investigation Branch (AAIB).

Sipas hetimit, pilotët e avionit Boeing 737-800, i operuar nga Ascend Airways në emër të Wizz Air, nuk përditësuan siç duhet parametrat e ngritjes në kompjuterin e bordit pasi u udhëzuan të niseshin nga një pjesë më e shkurtër e pistës. Si pasojë, avioni përdori fuqi më të ulët të motorëve, duke bërë një përshpejtim më të gjatë dhe një ngritje shumë të ulët.

Avioni u ngrit vetëm 162 metra para fundit të pistës dhe kaloi mbi fundin e saj në një lartësi prej rreth 4 metrash (13 feet), shumë më pak se lartësia minimale e kërkuar prej rreth 11 metrash. Sipas analizës së të dhënave të fluturimit, nëse ngritja do të ishte vonuar edhe rreth dy sekonda, avioni do të kishte dalë jashtë pistës.

AAIB thekson se, në rast të një problemi me motorët gjatë ngritjes, ekzistonte rreziku që avioni të mos arrinte të ndalonte në pistë ose të mos fitonte lartësinë e nevojshme për të shmangur pengesat.

Në bord ndodheshin 168 persona – 162 pasagjerë, katër anëtarë të ekuipazhit dhe dy pilotë. Pavarësisht incidentit, avioni mbërriti normalisht në Athinë dhe kreu edhe fluturime të tjera gjatë së njëjtës ditë. Wizz Air deklaroi se siguria mbetet prioriteti i saj kryesor dhe se ngjarja është shqyrtuar së bashku me operatorin e fluturimit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu