
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas polemikave të shumta që kanë shoqëruar vendimin e qeverisë për të financuar me 4 milionë euro koncertin e artistit amerikan Kanye West në Tiranë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë e cilësoi ndërhyrjen si një vendim të domosdoshëm për të mos dështuar organizimi i një eventi që, sipas tij, do t’i sjellë Shqipërisë përfitime të mëdha ekonomike dhe promovim ndërkombëtar.
Rama tha se fondi u vu në dispozicion “në minutën e fundit”, për të shmangur anulimin e koncertit dhe për të mos dëmtuar imazhin e Shqipërisë përballë mijëra vizitorëve të huaj.
Sipas tij, rreth 25 mijë persona nga afro 80 shtete kanë blerë tashmë bileta për koncertin, ndërsa qeveria vlerëson se eventi do të gjenerojë jo më pak se 100 milionë euro të ardhura për ekonominë shqiptare.
Kryeministri solli si argument edhe rritjen e menjëhershme të rezervimeve në platformat e akomodimit për fundjavën e koncertit, duke theksuar se përfitimet do të ndihen nga hotelet, restorantet, bizneset lokale, bashkia dhe buxheti i shtetit përmes rritjes së konsumit.
Në reagimin e tij, Rama krahasoi efektin ekonomik të koncertit me organizimin e finales së UEFA Conference League në Tiranë, duke kujtuar se, sipas të dhënave të UEFA-s, ajo solli rreth 160 milionë euro të ardhura për ekonominë shqiptare.
Kreu i qeverisë hodhi poshtë akuzat se fondet për koncertin janë marrë në dëm të sektorëve të tjerë, duke deklaruar se vetëm pak ditë më parë qeveria ka miratuar financime shtesë për shëndetësinë, mbështetjen sociale, startup-et, zhvillimin urban dhe rural, si edhe bonusin për pensionistët.
Rama akuzoi kritikët se po manipulojnë opinionin publik me llogaritje të pavërteta dhe pretendime se paratë e koncertit janë hequr nga fondet për shërbimet publike, duke i cilësuar këto reagime si një përpjekje për të penguar zhvillimin dhe promovimin e Shqipërisë.
Debati për financimin e koncertit vijon të dominojë skenën politike dhe publike, ndërsa opozita dhe një pjesë e protestuesve kanë kundërshtuar përdorimin e fondeve publike për një aktivitet privat. Nga ana tjetër, qeveria këmbëngul se investimi do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi dhe në promovimin ndërkombëtar të vendit.






