
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) u përball me kritika të forta gjatë raportimit në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, ku kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, ngriti shqetësime për funksionimin e institucionit, menaxhimin e burimeve njerëzore dhe procesin e rekrutimeve.
Xhafaj e cilësoi KLP-në si një nga hallkat më të dobëta të sistemit të drejtësisë, duke theksuar se, megjithëse ka pasur përmirësime, institucioni mbetet larg pritshmërive.
“Në vlerësimin tim, në punën e KLP ka disa hapa pozitivë, por mbetet KLP një nga sistemet më të dobëta të drejtësisë në Shqipëri. Shumë çështje që lidhen me sistemin e prokurorisë gjenerojnë nga vendimmarrje të diskutueshme të KLP-së. Krahasuar me atë që i ka dhënë ligji dhe me pritshmëritë e BE-së, ka shumë për të bërë”, u shpreh Xhafaj.
Një nga debatet kryesore lidhej me mungesën e prokurorëve. Xhafaj kritikoi faktin që, pavarësisht mbi 100 vendeve vakante, KLP i ka kërkuar Shkollës së Magjistraturës vetëm 12 prokurorë të rinj.
“Keni qenë të paaftë të bëni llogari të kësaj natyre apo ka një lloj papërgjegjshmërie? Keni mbi 100 vakanca dhe nuk kërkoni shtim të prokurorëve. Si do t’i plotësoni këto vende?”, iu drejtua ai kryetares së KLP-së, Mirela Bogdani.
Nga ana e saj, Bogdani u përgjigj se numri i kërkuar është diktuar nga kriteri i cilësisë së kandidatëve.
“Arsyeja që u parashtrua ishte cilësia e numrit të kandidatëve”, tha ajo.
Debati u ashpërsua edhe më tej, kur Xhafaj ngriti akuza për mënyrën e punësimit të stafit mbështetës në institucion.
“Keni nevojë për shtesa? Jo për të bërë qoka, për të marrë shokët e miqtë, burrat, gratë, fëmijët e prokurorëve, gjyqtarëve apo politikanëve? Ju dhe disa institucione të tjera e keni bërë si vend ku bashkohen fëmijët e prokurorëve dhe gjyqtarëve”, deklaroi Xhafaj.
Lidhur me përplasjet e shpeshta mes anëtarëve të KLP-së, Bogdani kërkoi ndjesë për tonet e larta të debateve, duke i cilësuar ato si pjesë të funksionimit të një organi kolegjial. Ajo shtoi se, nëse situata nuk përmirësohet, do të miratohen rregulla të reja etike.
Në seancë u diskutua edhe procesi i emërimit të drejtuesit të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), si dhe digjitalizimi i sistemit të prokurorisë, për të cilin Bogdani tha se pritet të përfundojë brenda një viti.






