Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, inspektoi punimet në stadiumin provizor ku do të zhvillohet koncerti i Kanye West më 11 korrik në Tiranë. Gjatë vizitës u bë e ditur se përgatitjet kanë hyrë në fazën përfundimtare, ndërsa në kantier punohet pa ndërprerje.

Ministri Gonxhja deklaroi se në projekt janë angazhuar rreth 3 500 punëtorë dhe ekipe që punojnë 24 orë në ditë, ndërsa infrastruktura teknike që po instalohet është e standardeve ndërkombëtare.

“Është një projekt nga pikëpamja teknike që ndodh shumë rrallë dhe kërkon një impenjim të jashtëzakonshëm”, u shpreh Gonxhja, duke shtuar se ekspertë dhe ekipe nga Gjermania, Franca, Holanda, Anglia dhe Turqia janë surprizuar nga kushtet dhe ambicia e organizimit në Shqipëri. Sipas tij, eventi do t’i japë vendit një reputacion të ri në industrinë ndërkombëtare të eventeve dhe do të hapë rrugën për organizime të ngjashme në të ardhmen.

Sipas organizatorëve, kryeqyteti pritet të mirëpresë dhjetëra mijëra spektatorë nga rreth 80 shtete, duke e kthyer koncertin në një nga ngjarjet më të mëdha të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri.

Nga ana e tij, kryeministri Rama theksoi se koncerti organizohet tërësisht nga partnerë privatë shqiptarë, gjermanë dhe turq, ndërsa shteti ka ndërhyrë vetëm për të garantuar realizimin e eventit.

“Jo dhjetëra miliona euro siç thonë sorrat dhe korbat e bulevardit, por 4 milionë, që ne të garantojmë këtë ngjarje. Ata mijëra njerëz që kanë prerë bileta nga Europa, Amerika, Australia dhe mbi 80 shtete të tjera sjellin një impakt ekonomik të menjëhershëm dhe afatgjatë për Tiranën dhe Shqipërinë”, deklaroi Rama.

Kryeministri shtoi se, ashtu si finalja e UEFA Conference League ndikoi në rritjen e fluksit të turistëve, edhe koncerti i Kanye West pritet të ketë një efekt të rëndësishëm në ekonominë, turizmin dhe promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu