Kosova pritet të jetë ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Evropë gjatë viteve të ardhshme, sipas projeksioneve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të publikuara nga Euronews.

Sipas raportit, ekonomia e Kosovës pritet të rritet me rreth 4% në vit në periudhën afatmesme, duke e renditur vendin mes ekonomive me performancën më të mirë në kontinent.

FMN vlerëson se rritja ekonomike do të mbështetet nga konsumi i fortë i familjeve, investimet publike, dërgesat financiare të diasporës dhe fuqia punëtore e re. Po ashtu, zbatimi në kohë i Planit të Ri të Rritjes të Bashkimit Evropian pritet të japë një shtysë shtesë për ekonominë dhe punësimin.

Raporti thekson se remitancat e diasporës, veçanërisht nga Gjermania dhe Zvicra, vazhdojnë të luajnë një rol kyç në financimin e konsumit dhe investimeve private. Në të njëjtën kohë, zhvillimi i sektorit bankar dhe investimet në infrastrukturë konsiderohen faktorë të rëndësishëm që mbështesin zgjerimin ekonomik.

Megjithatë, FMN evidenton edhe dobësi strukturore. Sipas raportit, rritja e Kosovës mbështetet kryesisht te kërkesa e brendshme dhe niveli i lartë i importeve, ndërsa vendi ende nuk ka krijuar një bazë të fortë dhe konkurruese të eksporteve.

Në analizën e Euronews, Kosova renditet mes vendeve evropiane me perspektivën më të mirë të rritjes ekonomike, së bashku me Maltën, Ukrainën, Serbinë dhe Moldavinë. Ndërkohë, ekonomia e eurozonës parashikohet të rritet mesatarisht me vetëm 1.2% në vit gjatë periudhës 2027-2031.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu