Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga stadiumi provizor që po ndërtohet në Kashar për koncertin e reperit amerikan Kanye West, i planifikuar të mbahet më 11 korrik.

Përmes një transmetimi live në rrjetet sociale, Rama shkruan se për koncertin priten spektatorë nga 80 shtete, ndërsa e cilëson Tiranën si “kryeqytetin e Europës së Ballkanit”.

Në stadiumin e koncertit të madh të Kanye West që po bëhet gati për të mikpritur në kryeqytetin e Europës së Ballkanit, të shtunën, 11 korrik, spektatorë nga 80 shtete“, shkruan kryeministri.

Ndërkohë, më herët ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka sqaruar se stadiumi në Kashar po ndërtohet posaçërisht për koncertin dhe se nuk financohet nga buxheti i shtetit.

Sipas Gonxhes, investimi realizohet nga organizatorët privatë të koncertit dhe promotorët e artistit, ndërsa shpenzimet mbulohen nga të ardhurat e siguruara përmes shitjes së biletave. Ai ka bërë të ditur gjithashtu se struktura do të qëndrojë në vend edhe për disa javë pas koncertit, me synimin për të pritur aktivitete të tjera.

Koncerti i Kanye West pritet të jetë një nga eventet më të mëdha muzikore të organizuara ndonjëherë në Shqipëri, me dhjetëra mijëra pjesëmarrës të parashikuar nga vendi dhe jashtë tij.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu