
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita do të vijojë mospjesëmarrjen në seancat plenare të Kuvendit deri sa të futen për shqyrtim amendamentet e depozituara nga deputetët demokratë, të cilat, sipas tij, pasqyrojnë kërkesat e protestuesve.
I pyetur nga gazetarja Anisa Kadesha e TVSH-së nëse PD do të vazhdojë bojkotin parlamentar me kushtin e shqyrtimit të pesë kërkesave të protestuesve, Berisha sqaroi se nuk bëhet fjalë për bojkot të plotë të Parlamentit.
“Nuk kemi bojkotuar parlamentin. Kemi shpallur mospjesëmarrje në seancat parlamentare dhe jo në komisione, gjersa Edi Rama të mos bllokojë paraqitjen në parlament të amendamenteve që kanë dorëzuar deputetët tanë për ndryshimin e ligjeve që kërkojnë përfaqësuesit e protestës”, tha Berisha.
Sipas tij, mosfutja në rendin e ditës e këtyre amendamenteve përbën një shkelje të të drejtave të opozitës dhe të protestuesve.
“Mbajtja e tyre pa i paraqitur në parlament është një fyerje shumë e rëndë për opozitën, protestën dhe për shqiptarët. Është një dhunim i të drejtave kushtetuese të deputetëve të opozitës”, u shpreh kreu i PD-së.
Berisha shtoi se Kuvendi ka detyrimin minimal t’i paraqesë dhe t’i diskutojë propozimet e opozitës.
“Të vendosë Kryesia, t’i paraqesim, t’i diskutojmë. Është detyrimi më minimal i parlamentit ndaj publikut, ndaj shqiptarëve dhe shqiptarëve në protestë”, përfundoi ai.






