
Mesazhe të publikuara nga një grup komunikimi në aplikacionin Telegram kanë nxitur debat, pasi tregojnë se marshimi i protestuesve drejt Komisariatit nr. 3 në Tiranë ishte diskutuar paraprakisht mes pjesëmarrësve të protestës raporton TCH.
Në bisedat e publikuara shfaqen mesazhe ku propozohet përdorimi i turmës për t’u drejtuar fillimisht te Komisariati nr. 3 dhe më pas drejt Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale “302”, ku mbaheshin të paraburgosurit e arrestuar pas protestës së 2 korrikut.
Në një prej mesazheve shkruhet: “Po te 302. Sot mendoj me e përdor turmën si duhet, me ik te 302 i nxjerrim çunat direkt”, ndërsa në një tjetër thuhet: “Ose bllokojmë rrugën, ose hyjmë sot se jemi me mijëra.”
Megjithatë, në të njëjtin grup janë publikuar edhe mesazhe që u bëjnë thirrje protestuesve të shmangin përplasjet. Një njoftim i fiksuar kërkon që pjesëmarrësit të distancohen nga personat me maska dhe nga çdo akt dhune, ndërsa një tjetër mesazh thekson se “edhe me dhunë nuk fitojmë gjë”.
Publikimi i këtyre komunikimeve vjen një ditë pas incidenteve në Komisariatin nr. 3, ku një grup protestuesish dëmtoi hyrjen dhe ambientet e godinës, ndërsa policia ndërhyri për shpërndarjen e turmës. Gjatë përplasjeve mbeti e lënduar edhe një efektive policie.
Sipas materialit të publikuar, mesazhet kanë ngritur dyshime se lëvizja drejt komisariatit nuk ishte spontane, por ishte diskutuar dhe koordinuar më herët përmes grupeve të komunikimit të protestës.






